Kurti e Konjufca shtruan iftar për kryetarin e Bashkësisë Islame, Naim Tërnavën

Në përmbyllje të muajit të Ramazanit, kryeministri Albin Kurti së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, pritën në iftar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava

Albin Kurti, Glauk Konjufca, Naim Tërnava

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë pritur në iftar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti teksa ka shprehur respektin për devotshmërinë dhe vetëpërmbajtjen e besimtarëve myslimanë gjatë Muajit të Ramazanit, ai ka uruar që sakrifica e tyre të shpërblehet dhe solidariteti e ndjeshmëria të forcojnë edhe më shumë besimin dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve.

Po ashtu, në prag të festës së Bajramit, që shënon fundin e muajit të agjërimit, kryeministri Kurti i uroi myftiut Tërnava dhe të gjithë besimtarëve myslimanë Bajram të gëzuar.

“Humanizmin e tolerancën e besimtarit gjatë Ramazanit t’i kemi udhërrëfyes të përhershëm të përditshmërisë sonë”, është shprehur Kurti.

Ndryshe, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në adresimin e tij është shprehur se kjo festë që troket te të gjitha shtresat e popullatës me porosi e mesazhe të ngrohta, gjithnjë në funksion të afrimit me rahmetin e Krijuesit të gjithësisë, i cili për agjërimin ka premtuar shpërblim të veçantë.

Myftiu ka shtuar se pas dy vjete që i kaluam në përballje me pandeminë Covid-19, kësaj radhe, falë Zotit të Madhëruar, Ramazanin që po e përmbyllim dhe festën e Fitër-Bajramit, nga e cila na ndajnë vetëm edhe pak orë, e shijuam pa masa kufizuese, rikthyem atmosferën e Ramazanit në shtëpitë tona, bëmë namaze e ibadete nëpër xhamitë tona anekënd vendit, vizituam njëri-tjetrin, me një fjalë, shijuam mirësitë e Ramazanit ashtu siç e meriton ky muaj i bekuar.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava

“Dashtë Zoti që të mos përballemi më me masa kufizuese, të cilat qenë të domosdoshme, por krijuan një lloj distance ndërmjet nesh”, ka thënë Tërnava.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Shija e redaktorit

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Osmani pritet me nderime ushtarake në Riad të Arabisë Saudite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake në vizitën e saj në Arabinë Saudite.  Ajo po qëndron në Riad, pas ftesës që...

Mes familjes dhe ushtrisë – Historitë e fëmijëve amerikanë që...

Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i NATO-s, përtej historisë në këtë hapësirë, shënojnë edhe një destinacion ku siguria dhe bashkëpunimi...

Të fundit nga rubrika