Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje për presidenten Vjosa Osmani pas njoftimit se Siria ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Kurti ka theksuar se njohja nga Siria është një tjetër hap i rëndësishëm diplomatik për vendin, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me angazhimin e presidentes dhe me mbështetjen e Arabisë Saudite.
“Për këtë lajm të mirë për shtetin dhe të gjithë qytetarët tanë, i jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes sonë Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si shtet mik e partner i Republikës sonë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se nga sot Kosova do të punojë për forcimin e lidhjeve me Sirinë, duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjata.
Kjo është njohja e tretë për Kosovën brenda këtij viti, pas asaj nga Kenia dhe Sudani.