Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka marrë pjesë në koncertin e Jazz-it në Mitrovicë.
Në fjalën e tij, Kurti ka përcjellur një mesazh politik, se tashmë këto koncerte po mbahen në të dy anët e lumit Ibër dhe s’mund t’i pengojë askush.
“Këto nëntë koncerte po zhvillohen në të dy anët e Ibrit, sepse e tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor”, ka thënë Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit.
Mes të tjerash, Kurti ka falënderuar ata që mundësuan festivalin.
“Unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar për realizimin e këtij festivali. Organizimi i një ngjarjeje të tillë kërkon përkushtim të madh dhe bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve, artistëve dhe komunitetit dhe mirënjohje për secilën e secilin që ka dhënë kontributin e vet”, ka deklaruar ai.