Fiks një javë janë bërë qëkur Gjykata Kushtetuese e Kosovës e bëri publik njoftimin e saj për aktgjykimin rreth seancës konstituive të Kuvendit.
Por, njoftimi 10 pikësh mbeti i tillë sepse as këtë javë ky institucion nuk e publikoi të plotë aktgjykimin e as nuk sqaroi se kur e bën këtë.
“Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve. Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën Zyrtare”- Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Sipas këtij ligji dhe rregullores së punës nuk ka një afat të caktuar për publikimin e plotë të aktgjykimit.
Ndërkohë, këto vonesa kanë ngritur dyshime tek pjesëtarë të shoqërisë civile.
“Qoftë me kalkulime politike, qoftë si produkt i procedurave, masat dhe vonesat e Gjykatës Kushtetuese po duket se po e ndjekin kalendarin drejt një date të dakorduar në heshtje, për të mbajtur dy palë zgjedhje në të njëjtën ditë, me 12 tetor. Ose, një skenar tjetër, i diskutuar nga disa parti, është zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare mes raundit të parë dhe balotazhit të zgjedhjeve për kryetarë komunash”, ka thënë Ismet Kryeziu – Drejtor i KDI-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e tërhoqi kërkesën e saj drejtuar Gjykatës për atë se çka ndodh nëse nuk arrihet të konstituohet Kuvendi brenda 30 ditësh siç u përcaktua në vendimin e parë.
Por, pavarësisht kësaj, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregullores së punës së këtij institucioni, gjykatësit kanë të drejtë ta shqyrtojnë atë.
Neni 23 i ligjit e parasheh që palët kanë të drejtë të tërhiqen por Gjykata mund të vendos për këto çështje.
Edhe më e qartë është rregullorja e punës së Gjykatës, përkatësisht rregulli 31.
“Pavarësisht tërheqjes së kërkesës, Gjykata mund të vazhdojë me shqyrtimin dhe vendosjen e kërkesës kur këtë e kërkon interesi publik dhe/ose respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë”, thuhet në këtë pikën dy të rregullit 31.
Ndërkohë, kryetari i partisë më të madhe në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që është edhe kryeministër në detyrë, as sot s’ka dashur të flas për këtë çështje.
“Jam duke shku në Viti….”, ka thënë Kurti.