Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se pas balotazhit për komunat, vendi mund të përballet edhe me dy raunde të tjera zgjedhjesh – në dimër dhe pranverë.
“Keq se do të kemi, pas balotazhit, edhe dy herë zgjedhje, në dimër dhe pranverë. Kur nuk u bëjnë 61 deputetë për një qeveri të re, është e vështirë të imagjinohet se mund të sigurojmë 80 vota për zgjedhjen e presidentit apo presidentes në pranverë. I kemi vetëm 4 muaj deri te zgjedhja e presidentit dhe presidentes”, ka deklaruar Kurti gjatë një konference për media.
Ai gjithashtu ka folur për projektbuxhetin e vitit 2026, duke sqaruar se mund të propozojë buxhetin sipas Ligjit për Qeverinë, por kjo nuk zgjidh sfidat politike që ekzistojnë.
“Cili do të ishte buxheti që do të kishte mazhorancën prej 61 votave, kur dihet se duhet votuar në dy lexime projektbuxheti”, ka theksuar Kurti.
Ai kritikon veprimet e LDK-së, duke theksuar se nuk duan të formojnë një qeveri të udhëhequr nga LVV dhe ai personalisht, dhe se insistojnë për zgjedhje të reja që sipas tij, nuk do të ndryshojnë rezultatin.
“Nuk po e kuptojë LDK, nuk duan qeverinë që udhëhiqet nga LVV dhe unë, nuk duan ta formojnë qeverinë e tyre me partitë e tjera opozitare por insistojnë disa zgjedhje të reja ku përsëri do ta përsërisin atë sloganin që ‘ne dalim të parët’, por nuk dalin të parët. Është e çuditshme për mua kjo sjellje. Ose bëj koalicion si i treti me të parin, ose bëj koalicion me të dytin kundër të parit ama diçka duhet të bësh, por ka shkuar shumë larg, njëherë mendoja se e kanë me mua personalisht”, ka deklaruar Kurti në konferencë.
”LDK e NISMA nuk pranuan koalicion”, Kurti: Nuk ka rrugë apo mënyrë tjetër përveç zgjedhjeve të reja