Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë e në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.
Pas takimit, Kurti tha se “Në ta pamë shqetësimin por edhe qëndresën për familjarët e tyre dhe zyrtarët tonë”.
Kryeministri i Kosovës, i falënderoi familjarët e policëve të rrëmbyer nga forcat serbe “për besimin e tyre dhe mbështetjen për institucionet e Republikës”.
“Jemi bashkë. Republika e Kosovës është në të drejtën e saj”, vijoi ai.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ora 17:30 do t’u përgjigjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën pas kidnapimit të policëve të Kosovës nga ana e policisë serbe në veri të vendit.
Kjo vjen pasi opozita në seancën e sotme kërkoi nga kryeministri që të raportojë në lidhje me zhvillimet e fundit pas kidnapimit të policëve dhe gjendjen e tyre, situatën në veri dhe hapat që do të ndërmerren në vazhdim.