Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti – njëkohësisht kryeministër në detyrë, ka komentuar sërish bllokadën që po vazhdon në Kuvendin e Kosovës, pas dështimit të 34-të për konstituimin e tij.
Në një deklaratë për mediat, Kurti ka kritikuar ashpër deputetët e partive opozitare, të cilët po e refuzojnë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ai i ka quajtur ata “deputetë nomadikë”, duke thënë se nuk po duan ta kenë Kuvendin si shtëpinë e tyre politike.
“Në këtë frymë më lejoni që deputetët opozitarë të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, t’i quaj deputetë nomadikë, sepse nomadëd janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi. Mund të dëshirosh të kesh shtëpi e të mos kesh, të jesh refugjatë ta zëmë, por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi, janë nomadë, ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia, Kuvendi, Parlamenti i Republikës është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarë”, ka deklaruar Kurti në një ngjarje para seancës e cila dështoi për herë të 34-t me radhë.
Kujtojmë se në të kaluarën, Kurti ka përdorur edhe gjuhë më të ashpër ndaj opozitës – duke i quajtur partitë kundërshtare “hajvana”, në orët e para të 10 shkurtit, pasi kishte marrë vesh se VV kishte dalë partia e parë në zgjedhje.