Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për media, ka folur rreth mundësisë dhe afateve për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Kurtit, nëse ka vullnet për marrëveshje, atëherë ajo mund të arrihet brenda muajve të ardhshëm dhe jo viteve.
Marrëveshja, sipas kryeministrit, mund të arrihet para pranverës së vitit të ardhshëm.
“Ftesa që më patë ardhur për të shkuar në Bruksel ka pasur një draftdeklaratë, në të cilën, është përmendur marsi i vitit të ardhshëm, në atë ftesë për herë të parë është përmendur ky afat kohor dhe ka qenë një ndër arsyet pse ne e premë biletën për Bruksel. Unë besoj nëse e duam marrëveshjen me gjithë mend nëse e duam normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka kurrfarë dyshimi që nuk nevojiten disa vite, por nevojiten disa muaj, mbase do të thosha fare pak muaj, gjithësi para pranverës së vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Kurti.
Të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë
Kurti foli edhe për reagimet apo ofendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në lidhje me emërimin si ministër të Nenad Rashiq, nga kryeministri Kurti.
Ai tha se niveli i edukatës së Vuçiq-it lë shumë për të dëshiruar. Kurse për të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë, Kurti tha se ato janë të rregulluara me një kapitull të veçantë në Kushtetutën e Kosovës.
“Mund të flas për qëndrimet dhe idetë, mund të flas për pajtimet dhe mospajtimet e ndërsjella, por nuk mund të flas për nivelin e edukatës të kreut shtetëror të fqinjit tonë verior. Ndërkaq, të drejtat e pakicave në Kosovë, janë të rregulluara me një kapitull të veçantë të Kushtetutës së Kosovës, në gjithsej gjashtë nene. Unë besoj që ata të cilët janë të pakënaqur me kushtetutën, do të duhej ta kenë barrën e provës dhe argumentimit që të tregojnë çfarë nuk është në rregull dhe cka nuk mjafton”, ka thënë ai.
Asociacioni
Për themelimin e Asociacionit, Kurti tha se në Bruksel është zotuar se do t’i ketë në konsideratë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, teksa shtoi se aty janë arritur 33 marrëveshje, ndërsa asociacioni nuk ka qenë më e rëndësishme, dhe nuk mund të trajtohet më me prioritet se të tjerat.
“Sa i përket Asociacionit, nuk kam përgjigje të re, natyrisht që në kapitullin 4 të kornizës së përgjithshme që e kanë prezantuar me datën 18 gusht në Bruksel, unë aty kam thënë që aty do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe implementimin e tyre, por nuk mund të jetë ky kapitulli i parë, dhe nuk mund të jetë vetëm një nga 33 marrëveshjet të jetë një më primarja më e rëndësishmja”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Kosovë e Serbi.
Lajçak tha se ai do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe pastaj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimi do të zhvillohet për t’u siguruar se të dyja vendet po e respektojnë marrëveshjen për targat e automjeteve.
Përveç targave, Lajçak bëri të ditur se do të diskutojnë edhe për normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të planit franko-gjerman.