Të hënën, kryeministri i Kosovës ka pritur në takim ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët fituan medaljen e argjendtë në një prej garave ushtarake më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol 22”.
Në takimin e përbashkët me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kreu i Qeverisë i përgëzoi për suksesin e arritur në një garë kaq të fortë.
Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe udhëheqësi i ekipit, Toger Diar Statovci, e njoftuan Kryeministrin Kurti për performancën e jashtëzakonshme të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë stërvitjes 48- orëshe në Britani të Madhe, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve të tjera ndërkombëtare, mes tyre edhe forca speciale.
Ndër të tjera, në këtë takim është theksuar se performanca në këtë garë është dëshmi shtesë për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale të FSK-së, si dhe demonstrim i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK-ja ka përmbushur.
Ndryshe, në mesin e 107 ekipeve të ushtrive ndërkombëtare, FSK ka fituar medaljen e argjendtë për performancë në garën ushtarake.
Në këtë garë pjesëtarët e FSK-së treguan performancë të jashtëzakonshme gjatë stërvitjes 48 orëshe në Malet e Zeza të Uellsit, së bashku me 80 ekipe britanike dhe 27 ekipe të shteteve tjera ndërkombëtare.
Performanca e FSK-së është vlerësuar lartë edhe nga këshilltari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel John Hunter, si demonstrim i qartë i përkushtimit dhe standardeve të larta që FSK ka përmbushur.