Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se porsa Kuvendi i Kosovës të konstituohet, do të zgjedhin Qeverinë e re.
Derisa është pyetur për mundësitë e formimit të një qeverie të përkohshme, ide e propozuar nga partnerja e saj e koalicionit, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, Kurti u shpreh i bindur për formimin e qeverisë së re.
“Ne jemi qeveria në detyrë, porsa të fillojë punën Kuvendi, e zgjedhim qeverinë e re. Unë jam në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar, pra është më shumë se ç’është dashur. Herën e parë ishte më pak se ç’është dashur, e herën e tretë do të jetë tamam”, tha Kurti në një deklarim për Kosovapress.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me seancën konstituive.
Kushtetuesja më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Vendimi i Kushtetueses ka ardhur pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit./KP