Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur dyshime lidhur me vonesën në publikimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Në një deklaratë për media, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes se punimeve në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, ai tha se situata mund të jetë më e ndërlikuar sesa duket.
Kurti theksoi se gjithmonë ka respektuar vendimet e Kushtetueses si kryeministër dhe si kryetar i Vetëvendosjes, por sipas tij, kësaj radhe procesi po zhvillohet në një mënyrë të pazakontë.
“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që Qeveria me mua si Kryeministër nuk e ka respektuar. Por kur më pyesin sërish a do ta respektoj aktgjykimin, kjo më bën të mendoj se ndoshta do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë duhet të konsiderojmë se çfarë të bëjmë”, tha Kurti.
Ai kujtoi se më 26 qershor Gjykata kishte publikuar njoftimin dhe aktgjykimin e plotë në të njëjtën ditë, ndërsa në rastin e fundit, më 8 gusht, është bërë vetëm njoftimi, pa u publikuar ende aktgjykimi i plotë.
“Kur ta lexojmë aktgjykimin në tërësi, do ta japim vlerësimin tonë meritor. Por nuk është mirë që po vonohet. Në bindjen time, në bazë të njoftimit, ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi dhe atij të 26 qershorit”, shtoi Kurti.