Të mërkurën e shtatë shtatorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me hulumtuesit e lartë në Këshillin Atlantik, duke përfshirë Damir Marusic dhe Rachel Rizzo.
“Përgjatë takimit, u diskutua për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me njohje reciproke në qendër të saj. Kryeministri Kurti dhe hulumtuesit e lartë Marusic dhe Rizzo ndanë këndvështrimet e tyre edhe mbi agresionin dhe invazionin rus në Ukrainë, pasojat për kontinentin e Evropës dhe sigurinë e rajonit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë tutje thuhet se Kosova si një nga vendet e para që iu është bashkëngjitur sanksioneve kundër Federatës Ruse, kryeministri Kurti është shprehur se Republika e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë se është aleate e vlerave demokratike.
Me seli qendrore në Washington D.C., Këshilli Atlantik është themeluar në vitin 1961 dhe është një think-tank amerikan që mbulon fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.