Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar për përzgjedhjen e emrave të kabinetit qeveritar dhe për mungesën e disa figurave, si Besnik Bislimi, në listën e propozuar për qeverinë e re.
Ai ka theksuar se të gjithë emrat janë rezultat i analizave të brendshme, dhe vendimet për dikasteret janë të lidhura me frazën që pret planifikimi i qeverisë për mandatin e ardhshëm.
“Të gjithë emrat që janë propozuar janë rezultat i analizave të brendshme. Emrat e përvetshëm janë kryekëput për fazën që na pret të planit tonë. Ne do të jemi bashkë në ecjen tonë, por kush, kur dhe ku, këto janë dikastere për të cilat flasim brenda”, tha Kurti.
Sa i përket Dimal Bashës, Kurti theksoi se gjithmonë e kishte menduar të ishte pjesë e ekzekutivit dhe lavdëroi punën e tij si kryetar i Kuvendit gjatë dy muajve të fundit, duke shtuar se nuk kishte asnjë vërejtje për të.
“Për Dimal Bashën, gjithmonë e kam paramenduar në ekzekutiv. Në qeverinë Kurti 3 e kam menduar Dimal Bashën. Në fund u votua Dimal, besoj që e bëri shumë mirë punën si kryetar i Kuvendit gjatë kësaj periudhe që është rreth dy muaj. Nuk kam asnjë vërejtje prej tij. Por besoj që vlera e tij e madhe, në të vërtetë, do të ishte në ekzekutiv”, ka theksuar Kurti.
Ai gjithashtu përmendi se qeveria po mban komunikim të vazhdueshëm me ambasadën amerikane, duke diskutuar mënyrat për të avancuar raportet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.