Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në New York, ku do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë qëndrimit, ai do të zhvillojë takime bilaterale me liderë, do të takohet me pjesëtarë të komunitetit shqiptar dhe përfaqësues të diasporës, dhe do të promovojë mundësitë për investime në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit njofton se pjesëmarrja e Kurtit ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve me vendet partnere dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, sidomos ndaj vendeve që nuk e njohin shtetin.
“Gjatë qëndrimit atje, gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës. Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, thuhet në njoftim.
Java e Nivelit të Lartë zhvillohet zakonisht nga e hëna deri të premten pas mes-shtatorit, dhe përfshin debatin e përgjithshëm ku liderët mbajnë fjalimet e tyre, si dhe takime të veçanta të nivelit të lartë.