Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar diplomimin e 350 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke theksuar përkushtimin e tyre për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë së vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se këta ushtarë tashmë të betuar janë të gatshëm të përballen me çdo kërcënim apo armik. Ai theksoi se Qeveria do të vazhdojë t’u qëndrojë përkrah, sikurse edhe populli dhe shteti i Kosovës.
“Teksa ata u betuan për të përballuar çdo armik e çfarëdo kërcënimi të paqes e të sigurisë, në çdo kohë, ne zotohemi para tyre që do ta kenë gjithnjë përkrahjen e popullit, shtetit dhe qeverisë”, tha Kurti.
Kurti vuri në pah edhe investimet e bëra për zhvillimin e ushtrisë, duke nënvizuar se gjatë katër viteve të fundit janë investuar mbi 300 milionë euro dhe janë rekrutuar mbi 2700 ushtarë e oficerë të rinj – një rritje prej 123% krahasuar me vitin 2021.
Në fund të urimit të tij, Kurti uroi që ushtarët e rinj të jenë gjithmonë të fortë e të shëndetshëm në shërbim të atdheut.