Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar në përputhje me Kushtetutën dhe ka urdhëruar përfundimin e seancës konstituive brenda 30 ditëve, përmes zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Aktgjykimi është rezultat i kërkesës së parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë, që kundërshtuan refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë nga Kuvendi i Kosovës.
Gjykata e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi se Kuvendi nuk është konstituar në përputhje me Kushtetutën.
“1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe
2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij“, thuhet në vendim.
Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se zvarritja e konstituimit të Kuvendit cenon funksionimin demokratik të shtetit dhe rrezikon bllokimin e proceseve vendimmarrëse dhe ligjvënëse.
“Përkitazi me konstituimin e Kuvendit, Gjykata konstatoi që Seanca Konstituive e filluar më 15 prill 2025, si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka përfunduar. Si rrjedhojë, Gjykata vlerësoi që Seanca Konstituive e Kuvendit, në kuptim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës është një akt kushtetues që duhet të përmbushet me sukses brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, përmes përmbushjes të të gjitha elementeve thelbësore të konstituimit të Kuvendit.
Aktgjykimi sqaron se struktura e normave kushtetuese, dhe posaçërisht ajo që ndërlidhet me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohet në atë mënyrë që të jetësojë dhe jo të bllokojë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve të tyre. Kësisoj, të gjitha veprimet që ndërmerren nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj, dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin, duke mundësuar që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar”.
Sipas Kushtetueses, deputetët dhe grupet parlamentare kanë detyrimin për bashkëpunim konstruktiv dhe në mirëbesim për të realizuar konstituimin.
“Aktgjykimi tutje sqaron që, Gjykata vlerësimin e saj e mbështeti në atë se: (i) mandati i deputetit dhe mandati i Kuvendit janë të ndërlidhura, pasi që deputetët përfaqësojnë sovranin, por ky përfaqësim nuk mund të jetësohet në aspekt institucional pa konstituimin e Kuvendit; (ii) zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë dhe kjo kërkon nga të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që ky i fundit të fillojë sa më shpejtë të funksionojë si organ ligjvënës, vendimmarrës dhe mbikëqyrës; (iii) e drejta për të propozuar Kryetarin/en e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar, është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14; (iv) propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm. Kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe se detyrimi për bashkëpunim konstruktiv në mirëbesim, që buron nga vetë neni 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] i Kushtetutës, njëkohësisht ndërlidhet ngushtë edhe me detyrimin e përcaktuar në nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, sipas të cilit, deputetët e Kuvendit ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit; (v) një detyrim i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilat në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetareve] të Kushtetutës po ashtu zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve; dhe (vi) është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët të Kuvendit, në pajtim me dispozitat e Kushtetutës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në vendimin e gjykatës.