Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të pranojë kërkesën e parashtruar nga Igor Simiq dhe 9 deputetë të tjerë të Listës Serbe, lidhur me kushtetutshmërinë e procesverbaleve dhe vendimeve të Seancës Konstituive të Kuvendit më 26 dhe 28 gusht 2025.
Gjykata konstatoi se Seanca Konstituive e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
Si pasojë, thuhet se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me nenet 66 dhe 67 të Kushtetutës.
Gjykata ka vendosur që Seanca Konstituive të përfundojë brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
“Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;”, thuhet nga Kushtetuesja.