Kuvendi i Republikës Srpska dhe Dodik sfidojnë Bosnjën me referendum

Kuvendi i Republikës Srpska (RS) më 22 gusht do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, me temë kryesore vendimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës ndaj Millorad Dodikut.

Dodik është dënuar me një vit burgim, por e ka shlyer dënimin me pagesë prej rreth 18 mijë eurosh. Përveç kësaj, ai është dënuar edhe me gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione publike – vendim që bëri që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Bosnje e Hercegovinës t’ia merrte mandatin e presidentit të RS-së.

Pasi deputetët hynë në sallën e Kuvendit të RS-së, shërbimet i informuan se ishte pranuar një thirrje anonime për një bombë të vendosur. Të gjithë u evakuuan nga ndërtesa dhe po pritet që policia të kryejë kontrollin.

Seanca do të vazhdojë në orën 11:30, tha para gazetarëve në Kuvend, sekretari Bojan Bosaniçiq.

Në seancë do të shqyrtohen edhe ndryshimet në Ligjin për Referendum, të cilat po shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Sipas propozimit, Kuvendi do të mund të formojë vetë komisione të posaçme për referendum, ndërsa ligji do të hynte në fuqi menjëherë ditën pas miratimit – gjë e pazakontë për procedurat ligjore.

Nëse ndryshimet miratohen, deputetët pritet të votojnë për mbajtjen e një referendumi, përmes të cilit qytetarët do të shprehnin qëndrimin e tyre ndaj vendimeve të Gjykatës dhe KQZ-së, me të cilat Dodikut iu mor mandati.

Koalicioni qeverisës ka propozuar që referendumi të mbahet më 18 ose 25 tetor, por deri në fillim të seancës nuk ishte sqaruar se si do të formulohet pyetja e referendumit.

Kushtetuta e Bosnjës nuk parashikon që një nivel më i ulët i pushtetit, siç është entiteti, të mund të shpallë referendume për vendime të institucioneve shtetërore, çka e vë në pikëpyetje ligjshmërinë e gjithë procesit.

Në rend të ditës janë gjithashtu “hapat e ardhshëm të institucioneve të RS-së”, si dhe miratimi formal i dorëheqjes së kryeministrit Radovan Vishkoviq. Në këtë mënyrë, entiteti do të mbetej pa president dhe pa kryeministër.

Dodik është dënuar për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, i ngarkuar me zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

Si president i RS-së, ai kishte nënshkruar ligje që parashihnin moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në territorin e entitetit. Këto ligje ishin anuluar paraprakisht nga Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.

Mbrojtja e Dodikut ka paraqitur apel në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, ndërsa KQZ është e obliguar që, sipas ligjit, të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e RS-së brenda 90 ditësh./REL

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika