Kuvendi i Shqipërisë miraton deklaratën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot, më 12 shkurt, një deklaratë të përbashkët lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me 92 vota pro, deputetët miratuan deklaratën përmes së cilës shprehet mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të cilët po përballen me gjykimin në Hagë, njofton Dukagjini.

Në tekstin e deklaratës, Kuvendi i Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën e Prokurorisë Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se lufta e UÇK-së ishte një lëvizje legjitime çlirimtare për liri, dinjitet dhe vetëvendosje, në përputhje me parimet ndërkombëtare.

Sipas deklaratës, ekziston rreziku që përmes këtij procesi të shtrembërohet e vërteta historike, duke barazuar, siç thuhet, luftën e popullit të Kosovës për liri me krimet e kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, i cili akuzohet për spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Kuvendi deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për ish-drejtuesit e UÇK-së, duke kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, pa cenuar, sipas tyre, dinjitetin e luftës çlirimtare.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri teksa thuhet se Kuvendi shpreh solidaritet me popullin e Kosovës dhe familjet e luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa u bën thirrje institucioneve shqiptare, atyre të Kosovës dhe diasporës që të qëndrojnë të bashkuara në mbrojtje të së vërtetës historike dhe drejtësisë.

Po ashtu, rekomandohet që qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

Sipas njoftimit, deklarata do t’u përcillet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, asambleve parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe qeverive mike dhe partnere.

Deklarata e plotë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën e Prokurorisë Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së. Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, që luftoi për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet ndërkombëtare. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon që të shtrembërojë të vërtetën historike, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviçit, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Për këtë, Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së që ishin dhe mbeten përfaqësues të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. Kërkesë jonë i është drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të kthehen në mjete për rishkrimin e historisë apo barazimin e viktimave me agresorët, kujtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik, krime sistematike kundër njerëzimit dhe akte gjenocidale, ndaj popullatës civile të Kosovës dhe se ndërhyrja e NATO-s më 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte. Edhe bashkësia ndërkombëtare konfirmoi të drejtën e popullit të Kosovës për liri.

Solidarizohemi me popullin e Kosovës dhe familjet e luftëtarëve të UÇK-së, duke riktheksuar se populli shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri. Do të marrim çdo hap në forume ndërkombëtare për të bërë që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës mos të cenohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë.

Kuvendi u bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar, institucioneve të Kosovës dhe diasporës shqiptare të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtje të së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe drejtuesit e luftës çlirimtare. Kuvendi iu rekomandon qeverive të Tiranës dhe Prishtinës të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë për denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe në Kosovë. Deklarata përfaqëson vullnetin unanim të Kuvendit dhe i transmetohet Dhomave të Specilizuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit në OKB, Parlamentit Europian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe gjitha qeverive mike e partnere.

Shija e redaktorit

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Të fundit nga rubrika