Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka kaluar në procedurën e votimit për projektligjin “Për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve”, pasi deputetët e opozitës vijuan me debate dhe ndërhyrje gjatë seancës plenare.
Më herët, deputeti Gazment Bardhi nuk kishte pranuar të largohej nga salla pas përjashtimit të tij, duke vijuar të qëndronte në vend edhe pas rinisjes së seancës. Në këtë situatë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste i kërkoi Peleshit që të kalonte menjëherë në votim dhe të mbyllej seanca.
Projektligji u miratua në tërësi me 73 vota pro nga mazhoranca socialiste.
Ndërkohë, Kuvendi vendosi të shtyjë votimin për ngritjen e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe Reformën Territoriale.
Pas debatit të gjatë në sallë, opozita kërkoi që votimi për Reformën Zgjedhore të shtyhej deri në arritjen e një dakordësie të gjerë politike.
E njëjta procedurë u ndoq edhe për Reformën Territoriale, e cila po ashtu u shty për seancën e ardhshme, mes kundërshtimeve nga opozita.