Partia Reform UK ka prezantuar një plan të ri për ashpërsimin e politikave të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar. Një nga propozimet kryesore është shfuqizimi i së drejtës së emigrantëve për të fituar Leje të Pacaktuar Qëndrimi (ILR) pas pesë vitesh, duke i detyruar ata të riaplikojnë për viza të reja nën kushte më të rrepta.
Sipas planit, vetëm qytetarët britanikë do të kenë të drejtë të përfitojnë nga ndihmat sociale, ndërsa emigrantët do të përjashtohen plotësisht. Partia pretendon se këto masa do të sigurojnë një kursim prej 234 miliardë paundësh për ekonominë britanike në dekadat e ardhshme.
Kancelarja e Thesarit, Rachel Reeves, reagoi duke e quajtur këtë shifër “të pabazë në realitet” dhe theksoi se qeveria tashmë po shqyrton mënyra për të kufizuar aksesin e emigrantëve në skemat e ndihmës sociale.
Nga ana e tij, lideri i Reform UK, Nigel Farage, deklaroi se Britania nuk duhet të shndërrohet në “bankën e ushqimit të botës”. Ai e përshkroi planin si një përgjigje ndaj rritjes së numrit të emigrantëve pas Brexit-it, të cilën e quajti “vala e Borisit”.
Një tjetër masë e parashikuar është rritja e periudhës së nevojshme për të fituar shtetësinë britanike nga 6 në 7 vjet. Megjithatë, qytetarët e BE-së të mbrojtur nga Marrëveshja e Tërheqjes nuk do të preken.
Propozimet kanë nxitur reagime të forta nga Partia Laburiste dhe Liberal Demokratët, të cilat i cilësuan masat si “jorealiste” dhe “të dëmshme për ekonominë dhe bizneset”. Plani ka hapur një debat të ri për emigracionin dhe integrimin, duke rritur presionin mbi partitë kryesore në prag të zgjedhjeve të ardhshme.