Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, është ripërsëritur thirrja për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje.
Ai ka thënë se janë duke punuar për çështjen e normalizimit të raporteve, teksa shtoi se “nuk ka më kohë për të humbur”.
“Është e rëndësishme që situata është rikthyer në normalitet. Kemi një situatë pozitive në terren, dëshirojmë që fokusin ta orientojmë drejt bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ai.
Lajçak ka theksuar se në këtë takim është diskutuar edhe për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen në katër komunat veriore.
“Duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe jemi duke punuar për takimet në nivel të lartë. Nuk kemi kohë për të humbur. Gjithashtu kemi folur edhe për situatën në veri. Po ashtu, edhe për çështjen e energjisë”, ka thënë ai.
Për kthimin e serbëve në institucione, Lajçak ka thënë se e njëjta temë është diskutuar edhe gjatë takimit të tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
“E diskutova dje me Vucicin dhe sot ia prezantova Kurtit, se kemi një vakuum të sigurisë. Nuk është e mirë për askënd, as për njerëzit, shpresoj të kthehen dhe situata të kthehet në normale”.
Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi dhe se në mars 2023 do të arrihet marrëveshja finale, ai ka thënë se “ne nuk dëshirojmë të vonojmë, momentumi është tani, nuk i kam dëshirë afatet e caktuara, por jemi duke ecur përpara për progres në dialog”.
“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe planifikimi ynë për hapat e ardhshëm ranë në sy në takimin tim me kryeministrin Albin Kurti, mëngjesin e sotëm në Prishtinë. Ne e shfrytëzuam takimin tonë edhe për të diskutuar situatën në veri të Kosovës dhe energjinë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
The normalisation of relations with Serbia and our planning on next steps featured prominently in my meeting with PM @albinkurti this morning in Pristina. We also used our meeting to discuss the situation in the north of Kosovo and energy. pic.twitter.com/6cmEUc6mRd
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) December 6, 2022
Vizita e Lajçakut në Kosovë u zhvillua një ditë pasi zyrtari i lartë i BE-së qëndroi në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lajçak tha se me Vuçiq diskutoi për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera, përfshirë edhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se me të dërguarin e bllokut foli për dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja, por edhe për problemet, me të cilat, po përballen serbët e Kosovës “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.