Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka konfirmuar se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, më 14 dhjetor, do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë, për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Ai ka shtuar se BE-ja ka gatishmëri që të dërgojë përforcime për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Borrell, në një konferencë për media, ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës ka qenë temë diskutimi në një takim të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së.
“Që nga gushti, jemi në një rreth vicioz të konfrontimeve, provokimeve dhe reagimeve që kanë përshkallëzuar në ditët e fundit, dhe kanë provokuar incidente serioze të sigurisë, përfshirë edhe një sulm ndaj misionit tonë, EULEX-it dhe ndaj Policisë së Kosovës. Barrikadat që bllokojnë rrugët, njerëz të armatosur nëpër rrugë, nuk është diçka që jemi të gatshëm ta pranojmë, nuk pranojmë këtë nga partnerët tanë, që po aspirojnë një të ardhme evropiane”, ka thënë ai.