Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar sot(e premte) se nuk është planifikuar asnjë takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të diskutuar mbi përfundimin e luftës që ka hyrë në vitin e katërt.
Këto komente të Lavrovit erdhën vetëm disa ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte thënë se tashmë kishin nisur përgatitjet për një takim mes dy liderëve.
“Nuk është planifikuar asnjë takim”, tha kryediplomati rus në një intervistë të regjistruar për emisionin “Meet the Press with Kristen Welker” në NBC, që do të transmetohet të dielën.
Më herët, Trump kishte bërë të ditur në rrjetet sociale se kishte biseduar me Putinin dhe se përgatitjet për një takim po zhvilloheshin, ndërsa ai vetë do t’u bashkohej më vonë në një format trepalësh.
Dyshimet për angazhimin e Moskës në procesin e paqes të udhëhequr nga SHBA-ja janë rritur ditëve të fundit, pasi zyrtarët rusë kanë kundërshtuar disa nga pikat kryesore të propozimeve fillestare.
Lavrov theksoi të enjten se presidenti Putin është i gatshëm të takohet me Zelenskyn për të diskutuar kushtet e paqes, por vetëm pasi çështjet më të rëndësishme të sqarohen paraprakisht nga zyrtarët e lartë.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të kërkojë garanci sigurie nga Perëndimi për të parandaluar sulme të mundshme ruse pas përfundimit të luftës, ndërsa zyrtarët amerikanë dhe evropianë po punojnë në detaje mbi propozime konkrete se si do të funksionojnë këto garanci.