Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Izbicë, për të përkujtuar të rënët që u masakruan 24 vjet më parë nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
Osmani ka theksuar se liria u bë e mundshme shkaku i të gjitha këtyre viktimave, shkaku i luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së të gjithëve.
Teksa ka përmendur viktimën më të re në moshë, Dafinën, e cila në atë kohë ishte 6-muajshe, Osmani ka thënë se kjo ka qenë një ndër masakrat më të tmerrshme të Serbisë, të shtetit gjenocidal serb ndaj popullit shqiptar.
“Dhe krimi nuk përfundoi me vrasjen dhe masakrimin e qytetarëve tanë në Izbicë, por u dyfishua atëherë kur forcat serbe zhvarrosën të vrarët dhe i rivarrosën ata në varrezat masive në vende të ndryshme në Serbi dhe në Kosovë”, ka thënë Osmani.
“Trupat e tyre u gjendën vite më pas, duke përfshirë edhe 6 muajshe Dafinën që e tregon mizorinë e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë. Edhe Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte ta shfaroste popullin shqiptar. Ndaj edhe sot këtu ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre , sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës”, shtoi Osmani.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Ai shtoi se aktakuzat e krerëve të Serbisë e kanë bazën e kësaj masakre.
“Jemi këtu të nderojmë dhe të përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviçit, në Izbicë, 147 sosh gjithsej, 6 janë ende të pagjetur. Ata janë rrëmbyer si shqiptarë të gjallë, e më pastaj, pas pushkatimit, janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë, meqenëse 6 nuk dihet ende se ku janë në Petrosello dhe i kanë sjellur këtu në atdheun e tyre në vendlindje”.
“Sot është një ditë kur e nderojmë edhe kujtimin e Mustafë Dragajt, i mbijetuari i masakrës i cili pati dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviçit, në Tribunalin e Hagës, dhe i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në shtatorin e vitit të kaluar. Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e 6 krerëve të lartë shtetëror, politik, policor, ushtarak të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë”, tha Kurti.
Forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.
Izbica, shihej si vend i sigurt për banorët e shumë fshatrave të Skenderajt, që ishin të ekspozuar ndaj sulmeve të serbëve. Mijëra shqiptarë kishin shkuar aty, më 27 mars të vitit 1999.
Atë ditë, i ishin nënshtruar granatimit, e të nesërmen, gati të gjithë meshkujt e rritur kishin ikur në male, duke i lënë kryesisht gratë, fëmijët, dhe burrat e vjetër në një lëndinë të fshatit.
Ishte ditë Bajrami.
Rreth 200 burra po qëndronin në lëndinë, duke pritur nga çasti në çast pushtimin e fshatit.
Kur policë, ushtarë e paramilitarë kishin mbërritur te civilët, atyre ua kishin plaçkitur paratë dhe të gjitha gjërat e vlefshme, duke i ndarë gratë nga burrat.
Gratë dhe fëmijët u urdhëruan të merrnin rrugën për në Shqipëri, kurse burrat u ekzekutuan gati të gjithë. Kishte edhe gra që u qëlluan.
Pas masakrës, kufomat e të vrarëve i varrosën në Izbicë meshkujt që ishin strehuar në mal, por, forcat serbe i zhvarrosën më pas, duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi.
Nga 156 të ekzekutuarit, deri tani janë identifikuar 131 prej tyre. Kanë mbetur edhe 15 të tjerë, varret e të cilëve akoma presin kthimin.
Masakra në Izbicë hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.