“I them: ‘Fat të mbarë.’”
Kështu iu përgjigj sot Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaratës së Khameneit, liderit suprem të Iranit, se vendi i tij nuk do të dorëzohet para presionit amerikan.
I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara janë më afër ndërmarrjes së një sulmi ushtarak ndaj Iranit, Trump-i nuk dha një përgjigje të qartë:
“Mund ta bëj. Mund të mos e bëj. Askush nuk e di çfarë do të bëj. Por mund t’ju them këtë: Irani ka shumë telashe dhe ata duan të negociojnë. Dhe unë i thashë: Pse nuk negociuat me mua para gjithë kësaj vdekjeje dhe shkatërrimi?”
Zhvillimet e fundit vijnë në një kohë kur Departamenti Amerikan i Mbrojtjes tha është në gatishmëri të plotë.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, konfirmoi para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit se ushtria amerikane është e përgatitur të zbatojë çdo vendim të presidentit për luftë apo paqe.
“Nëse dhe kur merren ato vendime, ne jemi të gatshëm t’i zbatojmë,” tha Hegseth, sipas Reuters.
Një zyrtar i ShBA-së dhe dy burime të tjera të afërta me zhvillimet kanë konfirmuar për CNN se Grupi Goditës i Aeroplanmbajtëses USS Ford pritet të dislokohet javën e ardhshme drejt Evropës, shumë pranë Lindjes së Mesme.
Kjo është aeroplanmbajtësja e tretë që do të pozicionohet pranë Izraelit, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Edhe pse ky dislokim ka qenë në plan që nga fundi i vitit të kaluar, pritet që USS Ford të pozicionohet në Detin Mesdhe Lindor, pranë brigjeve izraelite. Në të njëjtën kohë, një tjetër aeroplanmbajtëse është nisur drejt Lindjes së Mesme, për t’u bashkuar ose për të zëvendësuar USS Carl Vinson, sipas raportimeve të CNN.
Ndërkohë, Trump refuzoi të jepte detaje të mëtejshme për planet e mundshme për të goditur Iranin ose objektet e tij bërthamore, por bëri të ditur se Irani ka tentuar të nisë një dialog. Megjithatë, sipas tij, “është shumë vonë për të folur.”
“Ka një ndryshim të madh midis tani dhe një jave më parë. Askush nuk e di çfarë do të bëj,” shtoi ai, duke lënë të hapura të gjitha skenarët e mundshëm për zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Siç raportuan mediat perëndimore, Trump tha gjithashtu se Irani i kishte propozuar Shtëpisë së Bardhë zhvillimin e bisedimeve, por nuk ofroi asnjë detaj për natyrën apo nivelin e atyre kontakteve.