Më 16 tetor, Lista Serbe ka dorëzuar sërish një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Kjo parti pretendon se gjatë këtij procesi janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit dhe një aktgjykim i mëparshëm i vetë Kushtetueses.
Në njoftimin e saj, Lista Serbe ka bërë të ditur se ka kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme.
“Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, siç raporton REL-i.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, pasi Nenad Rashiq, deputet nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e tij ndodhi pasi deputetët e Listës Serbe, edhe pse u hodhën tri herë në votim, nuk arritën të siguronin numrin e nevojshëm të votave.
Kujtojmë se më herët Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Kuvendi nuk ishte i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, duke kërkuar që ky post të zgjidhej në përputhje me përfaqësimin e komuniteteve joshumicë. Pas dështimit të Listës Serbe për të siguruar votat, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, vendosi që procesi të përmbyllej përmes shortit, duke i hapur rrugë zgjedhjes së Rashiqit.