
Shkruan: Radomir Dimić
A është Serbia në prag të luftës civile? Pyetja është nëse autokrati serb Aleksandar Vuçiq, pa paralajmërim, ka filluar një luftë civile, duke pasur parasysh kaosin e përgjithshëm dhe luftërat në rrugë që po zhvillohen prej ditësh në qytetet më të mëdha serbe. Pas këtij kaosi të përgjithshëm dhe fatit të pasigurt e të pambrojtur të studentëve dhe qytetarëve, qëndron fytyra e frikësuar e Aleksandar Vuçiqit, i cili feston terrorin e tij.
Ndërsa Serbia noton në gjak, ai para kancelarit austriak, Štokerit, shtiret sikur respekton sundimin e ligjit dhe se ai dhe klika e tij po mbrojnë Serbinë nga “shkatërrimi” prej studentëve “nazistë”.
Ky tirani më i madh i Serbisë, kur thotë se kujdeset vetëm për fëmijët serbë, më kujton në mënyrë të pashmangshme “Nënën trimëreshë” të Brehtit, pra Anën Firling, tregtare dhe profiterke të pandjeshme lufte, e cila duke mbrojtur fëmijët e saj nga lufta, në fakt përpiqej të mbronte veten. Pikërisht ky është Aleksandar Vuçiq – njeriu i cili, për shkak të manifestit të tij politik të çnjerëzisë, është i gatshëm të flijojë fëmijët e Serbisë. T’i lejojë ushtrisë paramilitare të partisë së tij t’u thyejë kafkat, që një pjesëtar i njësisë speciale “Kobra” të qëllojë me pistoletë në ajër, që të rinjtë të lihen të vdesin një nga një. Aleksandar Vuçiq është nëna e krimit dhe figura që mishëron Serbinë mafioze, i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbrojtur pushtetin dhe pasurinë e tij të pallogaritshme.
Në këtë, më së shumti e ndihmon vëllai i tij Andrej, funksionar i lartë i SNS-it, i cili udhëheq skuadrat e dhunës në një lokalitet mafioz, të quajtur ĆACILEND, ku ka marrë me vete edhe djalin e Vuçiqit, duke demonstruar se si duhet kundërshtuar studentët – me gishtin e mesit dhe thirrjet “Ustaša!”. Dhe a është e mundur që një përbindësh diktatorial të përdorë fëmijën e tij si mburojë për të mbetur në pushtet? Diktatori serb e di shumë mirë se e ka humbur shumicën, dhe ky është momenti i së vërtetës ku kemi arritur.
Që me përdorimin e mercenarëve dhe dhunuesve t’i tregojë elektoratit të tij se ende ka ndonjë pushtet dhe se nuk do ta lëshojë pushtetin me asnjë çmim, qoftë edhe nëse vjen deri te lufta civile. Ai tashmë nuk ka besim të plotë në polici, do të dëshironte të angazhonte ushtrinë. Ndoshta do të dërgojë edhe tanke në rrugë dhe, përveç sirenave, të përdorë edhe ndonjë armë tjetër.
Nuk duhet përjashtuar një mundësi të tillë, edhe pse ai ka deklaruar se “as nuk ka menduar ta nxjerrë ushtrinë”. Një opsion i tillë i provokimit dhe i shpërndarjes së kaosit në rajon nuk duhet marrë lehtë. SEPSE kush e di çfarë mund t’i shkojë ndërmend, nëse kemi parasysh ngjarjet jo edhe aq të largëta të lidhura me Banjskën, të cilat kishin për qëllim destabilizimin e shtetit të Kosovës dhe të institucioneve të saj.
Megjithatë, këtu më shumë bëhet fjalë për frikësimin e qytetarëve të vet dhe të njerëzve që të heqin dorë nga aksione të mëtejshme, ndoshta edhe më të ashpra kundër regjimit, të cilat priten në vjeshtë.
Dhe, çfarëdo tjetër që t’i shkojë ndër mend këtij autokrati, efekti do të jetë vetëm një: se ai është dikush të cilit i ka skaduar koha e diktatorit dhe se Stocker ia ka përcjellë qartë mesazhin e BE-së, që të frenohet aparati i tij i dhunës. Dhe madje mund t’i ketë thënë edhe që t’u hapë rrugë të rinjve, të cilët nuk duan të humbasin hapin me Evropën dhe me katarsisin rajonal, i cili u nevojitet të gjithëve.