Arabia Saudite ka dënuar ashpër vizitën e ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, në kompleksin e xhamisë al-Aksa në Jerusalem.
Ben-Gvir, i njohur për qëndrimet e tij ekstremiste të djathta, u pa sot duke u lutur në vendin e shenjtë përkrah rreth 1,250 personave, nën mbikëqyrjen e policisë izraelite.
Sipas një marrëveshjeje të vjetër dhe delikate, kompleksi i al-Aksas administrohet nga një fondacion fetar jordanez. Hebrenjve u lejohet të vizitojnë zonën, por jo të luten atje — një kufizim që synon ruajtjen e status quo-së dhe shmangien e tensioneve fetare.
Në një deklaratë në platformën X, Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite shkruan: “Mbretëria dënon me forcë praktikat provokuese të përsëritura nga zyrtarët e autoriteteve të pushtimit izraelit ndaj xhamisë al-Aksa. Këto veprime vetëm sa përkeqësojnë konfliktin në rajon.”
Kryebashkiaku i Athinës përplaset me ambasadorin izraelit: “Nuk marrim leksione demokracie nga ata që vrasin civilë”
Kryetari i bashkisë së Athinës, Haris Doukas, ka reaguar ashpër ndaj ambasadorit izraelit në Greqi, Noam Katz, pas kritikave për mungesë reagimi ndaj grafiteve antisemite në qytet.
Në një intervistë për gazetën Kathimerini, ambasadori kishte thënë se turistët izraelitë ndihen të pasigurt në Athinë dhe kishte akuzuar autoritetet për mosveprim ndaj grupeve të organizuara që kryejnë vandalizma me përmbajtje antisemite.
Doukas reagoi në X duke thënë: “Kemi treguar qëndrim të qartë kundër dhunës dhe racizmit. Nuk marrim leksione demokracie nga ata që vrasin civilë.”
Ai shtoi gjithashtu se është “i neveritur” që ambasadori fokusohet tek grafitet, “në një kohë kur po ndodh një gjenocid i paprecedentë në Gaza.”/BBC