Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Këtë e ka bërë të ditur vet Macron i cili deklaroi se dialogi Kosovë-Serbi dhe “detaje të situatës në Ballkanin Perëndimor ishin çështjet kryesore të diskutimit.
“Përsëri i shpreha bindjen time se e ardhmja evropiane e Serbisë është rruga e saj e duhur, si dhe shpresën time që ajo të përparojë në këtë rrugë reformash dhe anëtarësimi, në frymën e dialogut. Diskutuam për të gjitha aspektet e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Francës dhe vendosëm të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë. Gjithashtu biseduam në detaje për situatën në rajon. theksova rëndësinë që Franca i kushton stabilitetit, unitetit dhe sovranitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe respektimit të sundimit të ligjit.” ka shkruar Macron në X.
Lidhur me raportet Kosovë–Serbi, Macron ka rikujtuar se çdo veprim i njëanshëm që cenon procesin e dialogut është i dënueshëm dhe se dialogu është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Rikujtova rëndësinë e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe dënuam të gjitha veprimet e njëanshme që mund ta rrezikojnë atë. Me vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa do ta realizojë dhe pranojë fatin e saj — në unitet, solidaritet dhe përgjegjësi.”, ka shkruar Macron
Mes të tjerash, Macron ka theksuar se Serbia duhet të vazhdojë me dialogun me Kosovën nëse dëshiron të ecë përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian.