Pas incidentit tragjik të ndodhur më 26 maj në Liverpool, ku një automjet përplasi një turmë njerëzish gjatë paradës së fitores së Liverpool FC në Premier League, Policia e Merseyside ka bërë një deklaratë zyrtare.
Sipas zëvendës shefes së policisë, Jenny Sims, incidenti nuk po trajtohet si një akt terrorist dhe besohet të jetë një ngjarje e izoluar.
Sipas autoriteteve, automjeti arriti të hyjë në një rrugë të mbyllur për qarkullim gjatë kohës së festimeve.
Aktualisht, rruga Water mbetet e rrethuar si zonë krimi, ndërsa policia po vazhdon hetimet dhe mbledhjen e provave.
Në vendngjarje ndodhen ende mbeturina nga incidenti dhe disa tenda të ngritura nga autoritetet hetimore.
Policia ka arrestuar një burrë 53-vjeçar, shtetas britanik nga zona e Liverpool-it, i cili besohet të jetë drejtuesi i automjetit që përplasi turmën.
Në total, 47 persona u lënduan, përfshirë katër fëmijë.
Një fëmijë dhe një i rritur ndodhen në gjendje të rëndë në spital.
Katër persona u shpëtuan nga shërbimet e emergjencës pasi mbetën të bllokuar nën automjet.
Kryetari i Bashkisë së Liverpoolit, Steve Rotheram, konfirmoi se katër persona janë ende në gjendje shumë të rëndë në spital.
“Shpresojmë me gjithë zemër që ata ta kalojnë këtë situatë,” tha ai për BBC Radio 5 Live.
Megjithëse mbrëmë ishte raportuar për një të rritur dhe një fëmijë të plagosur rëndë, numri i të lënduarve në gjendje të rëndë është rritur në katër, sipas të dhënave të fundit.
Autoritetet mbeten në koordinim të ngushtë me policinë dhe shërbimet emergjente për zbardhjen e plotë të rastit./BBC