Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar këtë të mërkurë ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Maqedonci bën të ditur se në takim kanë diskutuar mbi situatën e sigurisë në vend teksa e ka informuar edhe për kapacitetet aktuale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njofton Dukagjini.
“Në këtë takim diskutuam mbi situatën e sigurisë në vend, për stabilitetin e sfidat e vendit dhe rajonit në një periudhë sfiduese për sigurinë, ndërsa e informova dhe për kapacitetet aktuale të FSK-së. Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e gjatë të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, praninë e shtuar të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it, si dhe besimin e thellë që ky bashkëpunim dhe me ambasadorin Rudolph do të vazhdojë në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dy shtete që ndajmë interesa të përbashkëta”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.