Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë sot në rundin e parë të zgjedhjeve lokale për kryetarë komunash dhe këshilltarë komunalë në të gjitha 80 komunat, plus në Qytetin e Shkupit.
Këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga shpallja e pavarësisë së shtetit në vitin 1991. Qytetarët në Maqedoni të Veriut po votojnë për herë të dytë brenda më pak se dy vjetësh, pasi vitin e kaluar në prill dhe maj u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.832.415 qytetarë, sipas listës zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).
Të shtunën votuan të sëmurët dhe personat që nuk kishin mundësi të dilnin në zgjedhje, personat në shtëpitë e të moshuarve, si dhe ata që ndodhen në paraburgim ose janë duke vuajtur dënimin me burgim.
Në mesin e numrit të përgjithshëm të shtetasve me të drejtë vote janë edhe 112.000 persona që janë me punë të përkohshme ose qëndrim jashtë vendit, si dhe 2.162 persona në burg ose paraburgim dhe 450 votues nga shtëpitë e të moshuarve.
Në gjithë vendin ka gjithsej 3.480 vendvotime.
Votimi filloi në orën 07:00 hde Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konfirmoi se të gjitha vendvotimet janë të hapura. Qytetarët do të mund të votojnë deri në orën 19:00 dhe më pas do të nisë numërimi i votave dhe shpallja e rezultateve të para.
Për 81 poste të kryetarëve të komunave ka 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshilla garojnë mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista.
Këta kandidatë – pjesëmarrës në zgjedhje – janë propozuar nga gjithsej 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, përkatësisht kandidatura të pavarura.
Karakteristikë për kandidatët për kryetarë komunash është dominimi i burrave, të cilët janë 277 ose 89.64%, ndërsa gratë janë vetëm 32, përkatësisht 10.36%.
Numrin më të madh të kandidatëve e ka Qyteti i Shkupit – 16 për kryetar komune dhe 19 lista për këshilltarë.
Fushata për këto zgjedhje lokale zgjati 20 ditë – filloi më 29 shtator dhe përfundoi në mesnatën e 17 tetorit, kur filloi edhe heshtja zgjedhore.
Heshtja do të zgjasë deri në mbylljen e vendvotimeve mbrëmjen e 19 tetorit.
Për zgjedhjet lokale janë akredituar 1.462 vëzhgues, prej tyre 808 vendorë dhe 664 të huaj.
Në këtë raund të parë të zgjedhjeve duhet të zgjidhen përbërjet e reja të këshillave komunalë, ndërsa për kryetar komune do të konsiderohet i zgjedhur ai që ka fituar 50 për qind plus një votë, me kusht që në votim të kenë dalë së paku një e treta e votuesve të regjistruar në listën zgjedhore të komunës përkatëse.
Sipas rregullave, nëse asnjë nga kandidatët nuk e përmbush këtë kusht, mbahet edhe rundi i dytë, ku qytetarët zgjedhin mes dy kandidatëve që kanë fituar më shumë vota.
Rundi i dytë është caktuar për 2 nëntor.
Buxheti i përgjithshëm që shteti ka ndarë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve lokale arrin në 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë para të destinuara për mediat dhe reklamimin politik të paguar.
Përveç kësaj shume, shtohet edhe kompensimi për anëtarët e këshillave zgjedhorë (KZ), si dhe shpenzimet për transportin dhe shpërndarjen e anëtarëve të KZ-ve dhe materialit zgjedhor nga komisionet zgjedhore komunale deri te vendvotimet, pasi këto i mbulojnë vetë pushtetet lokale.
Shtatë zgjedhjet e mëparshme lokale në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur në vitet: 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.