Organizatorët e marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë” nga platforma “Liria ka Emër” kanë bërë të ditur se kanë marrë mbështetje nga Komuna e Skenderajt për organizimin e këtij aktiviteti, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Përmes një njoftimi publik, ata kanë falënderuar kryetarin e Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, për pritjen dhe përkrahjen e dhënë për këtë marsh qytetar.
“Faleminderit Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe administratës komunale për pritjen dhe mbështetjen e dhënë për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Mbështetja nga Skenderaj, si simbol i sakrificës dhe i vlerave të luftës çlirimtare, e forcon edhe më shumë këtë kauzë qytetare në shërbim të drejtësisë së paanshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Lushtaku ka theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti, duke bërë thirrje për pjesëmarrje qytetare.