Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka njoftuar se vetëm nga ora 14:00 deri në 20:00 të së dielës janë raportuar gjithsej 80 vatra zjarri në territorin e Kosovës.
Sipas njoftimit, 35 prej tyre janë ende aktive, ndërsa 45 janë lokalizuar nga ekipet emergjente.
Situata më e rënduar paraqitet në Komunën e Klinës, konkretisht në fshatrat Siqevë dhe Resnik, ku zjarret janë më të fuqishme dhe përhapja më e shpejtë.
“Fatmirësisht, deri më tani nuk është raportuar për viktima apo persona të lënduar. Situata po menaxhohet me të gjitha kapacitetet në dispozicion nga AME dhe Njësitë e Zjarrfikësve”, thuhet në njoftimin e agjencisë.
AME u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, duke kërkuar që të shmangen çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në ambient të hapur apo djegia e mbeturinave.
Çdo vatër e dyshimtë duhet të raportohet menjëherë në numrat emergjentë: 112, 193 ose 192.
“Agjencia, në bashkëpunim me Zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës, mbetet në gatishmëri të plotë. Falënderojmë zjarrfikësit për përkushtimin e palodhshëm, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për mbështetjen, si dhe qytetarët për bashkëpunimin”, thuhet në reagimin nga AME.