Mbrojtja: Gjykata Speciale i referohet përkthimit në gjuhën serbe të Kushtetutës së Kosovës

Në vendimin e saj të fundit, Gjykata Speciale për ta aplikuar doktrinën e “Ndërmarrjes Kriminale e Përbashkët” në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së, i është referuar përkthimit në gjuhën serbe të Kushtetutës së Kosovës, i cili dallon nga versioni në gjuhën shqipe, angleze dhe turke i tekstit në Kushtetutë

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Gjykata Speciale në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të saj, ka vendosur për t’i shpallur të papranueshme ankesat e ekipeve mbrojtëse të krerëve të UÇK-së lidhur me juridiksionin e Dhomave të Specializuara dhe çështjen e “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët”.

Në vendimin e saj për ta aplikuar doktrinën e “Ndërmarrjes Kriminale e Përbashkët” në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Gjykata ka zgjedhur t’i referohet përkthimit në gjuhën serbe të Kushtetutës së Kosovës, i cili dallon nga versioni në gjuhën shqipe, angleze dhe turke i tekstit në Kushtetutë.

Këtë e ka bërë në përgjigje ndaj ankesave të ekipeve mbrojtëse, të cilat kanë argumentuar se krerëve të UÇK-së po u shkelen të drejtat themelore në procedimin penal kundër tyre, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas mbrojtjes, zbatimi i drejtpërdrejtë i të Drejtës Ndërkombëtare Zakonore, të cilën Gjykata Speciale po synon ta përdorë për ta aplikuar “Ndërmarrjen Kriminale të Përbashkët”, është në kundërshtim me Nenin 33 të Kushtetutës së Kosovës dhe Nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pika 1 e Nenit 33 të Kushtetutës flet për parimin e legalitetit dhe proporcionalitetit në rastet penale.

“Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime kundër njerëzimit”, thuhet në Nenin 33.1 të Kushtetutës.

Por, një panel i Gjykatës Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara ka interpretuar Nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës, duke e lexuar atë në versionin e gjuhës serbe.

E para, versioni në serbisht është “përkthim”, kjo pasi dihet botërisht se Kushtetuta është redaktuar në gjuhën angleze dhe shqipe nga ekspertë ndërkombëtarë dhe kosovarë.  E dyta, versioni në serbisht është përkthim “ndryshe” dhe me kuptim tjetër nga versioni në gjuhën shqipe, angleze dhe turke. E treta, versioni në serbisht, në këtë rast të përdorur nga Gjykata, është i vetmi që shkon në dëm të të akuzuarve në Hagë.

Fillimisht, Gjykata pranoi se versioni në anglisht – “No one shall be charged or punished…” është njëlloj me versionin shqip të Nenit 33 të Kushtetutës – “Askush nuk mund të akuzohet…”. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për Gjykatën, pasi që ka gjetur se ato dallonin me versionin në serbisht – “Askush nuk deklarohet fajtor ose dënohet…” (“Niko se ne može proglasiti krivim ili kazniti…).

Sipas Gjykatës, duke qenë se sipas Nenit 7 të Kushtetutës gjuha shqipe dhe serbe janë njëlloj gjuhë zyrtare, atëherë ajo ka vendosur t’u drejtohet metodave të tjera interpretuese për të gjetur nëse Neni 33 i Kushtetutës vërtet parashikon fjalët “të akuzohet”.

Meqenëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës në të kaluarën ka referuar jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të interpretuar të drejtat themelore të Kushtetueses, si dhe faktit se Konventa ka nivel kushtetues, atëherë, sipas Gjykatës Kushtetuese brenda Dhomave të Specializuara, Neni 33 i Kushtetutës duhet të interpretohet sipas interpretimit që GJEDNJ i bën Nenit 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Nga kjo rrjedh se Neni 33.1 i Kushtetutës, i interpretuar në përputhje me praktikat gjyqësore të GJEDNJ-së, duhet të lexohet se i referohet të mos ‘mbahet fajtor’”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, duke vendosur kësisoj të mbështetet në versionin e gjuhës serbe.

Gjykata ka vlerësuar se Neni 33.1 i Kushtetutës duhet te interpretohet “sipas KEDNJ-së”, pra vetëm në raste “dënimi”, dhe rrjedhimisht ka vlerësuar se versioni serb vlen më tepër se versioni shqip.

Tentativa e Gjykatës për të bindur se fjala “akuzohet” nuk ekziston në Nenin 33 të Kushtetutës del të jetë përtej absurdes, ashtu siç del të jetë edhe skandaloz vendimi i saj që versioni serb i përkthimit të këtij neni të vlejë më tepër se versioni shqip, anglisht dhe turqisht.

Specialja shpall të papranueshme ankesat e mbrojtjes për ish-krerët e UÇK-së

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika