Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se ka urdhëruar mbylljen e dy ambulancave të mjekësisë familjare (AMF) në Banjë dhe Syriganë, nën dyshimin se ato operonin në mënyrë të jashtëligjshme nën menaxhimin e strukturave paralele serbe.
Lushtaku, mes tjerash, bëri të ditur se ky vendim është marrë pas pranimit dhe verifikimit të informatave që dëshmonin se këto institucione shëndetësore funksiononin jashtë rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, njofton Dukagjini.
Tutje, ai ka bërë të ditur se gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda, përfshirë medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim të vulave dhe recetave mjekësore pa praninë e mjekut, si dhe parregullsi të tjera që bien ndesh me ligjet dhe protokollet shëndetësore në fuqi.
“Ajo që kemi gjetur është e papranueshme: medikamente pa banderola dhe me afat të skaduar, përdorim i vulave dhe recetave mjekësore pa prezencën e mjekut dhe shumë shkelje të tjera që bien në kundërshtim me ligjet dhe protokollet shëndetësore. Kjo përveçse shkelje ligjore përbën rrezikim të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve duke vepruar jashtë sistemit dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe kemi njoftuar edhe autoritetet përkatëse përfshirë edhe Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale”, ka shkruar Lushtaku.
Lushtaku, mes tjerash, thotë se këto dy ambulanca mund të rikthehen në funksion vetëm nëse integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe zbatojnë në tërësi kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Këto dy AMF mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe të zbatojnë pa asnjë kompromis kushtetutën dhe ligjet e Kosovës sepse vetëm në këtë formë mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve pa dallim!”, ka shkruar Lushtaku.