Seattle Seahawks janë shpallur fitues të edicionit të 60-të të Super Bowl-it amerikan, pasi triumfuan bindshëm në finalen e madhe ndaj New England Patriots, duke dominuar ndeshjen që nga minutat e para.
Superioriteti i skuadrës kampione u pa qartë që në çerekët hapës, duke sinjalizuar herët se rrjedha e finales do të ishte në favor të Seahawks. Kjo epërsi u reflektua në çdo repart të lojës, veçanërisht në mbrojtje, ku Seahawks zhvilluan një paraqitje të jashtëzakonshme, duke neutralizuar sulmin e Patriots dhe i detyruar ata në gabime të njëpasnjëshme.
Me kalimin e minutave, diferenca mes dy ekipeve u thellua, ndërsa New England Patriots nuk arritën të gjejnë ritmin apo të reagojnë për të vënë në vështirësi kundërshtarin. Në fund të takimit, rezultati u mbyll 29-13, duke i siguruar Seattle Seahawks titullin e dytë kampion në historinë e tyre, pikërisht në edicionin jubilar të Super Bowl-it.
Ky sukses konsiderohet kulmi i një projekti të ndërtuar me kohë, i cili u kurorëzua me trofeun më të rëndësishëm të futbollit amerikan. Spektakli i mbrëmjes nuk u kufizua vetëm në fushë, pasi atmosfera u ndez edhe nga performanca muzikore e Bad Bunny, e cila më pas nxiti polemika dhe reagime edhe në skenën politike në Shtetet e Bashkuara.