Mbyllet Qeveria amerikane

Qeveria amerikane nisi mbylljen në mesnatë, pasi ligjvënësit dhe presidenti amerikan, Donald Trump, dështuan të arrinin një marrëveshje për shpenzimet gjatë bisedimeve të tensionuara që u kushtëzuan nga kërkesat e demokratëve që të financohet kujdesi shëndetësor.

Kjo është hera e parë që Qeveria amerikane mbyllet pas mbylljes më të gjatë në histori – që zgjati 35 ditë – para pothuajse shtatë vjetësh, dhe do të ndalojë punën në disa departamente dhe agjenci federale duke prekur qindra mijëra punonjës qeveritarë.

Trump fajësoi demokratët për bisedimet që ngecën dhe kërcënoi se do të ndëshkonte partinë dhe votuesit e saj gjatë mbylljes, duke paralajmëruar se do të shënjestrojë disa prioritete progresive, duke detyruar shkurtime masive në vendet e punës në sektorin publik.

“Do të largojmë nga puna shumë njerëz që do të preken shumë dhe ata do të jenë demokratë”, tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.

Ai shtoi se “shumë gjëra të mira do të vijnë nga mbyllja”, duke sugjeruar se do ta përdorë këtë ndërprerje për “të hequr qafe shumë gjëra që nuk i donim, dhe ato gjëra do të jenë të demokratëve”.

Operacionet qeveritare nisën të paralizoheshin pas mesnatës, pas një përpjekje të dështuar në Senat për miratimin e një rezolute rezolutë afatshkurtër të financimit, që veçse është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Shpresat për një kompromis u zbehën prej të hënës, kur një takim i minutës së fundit në Shtëpinë e Bardhë nuk solli asnjë përparim.

Demokratët, që janë pakicë në dy dhomat e Kongresit, kanë synuar që të kenë ndikim mbi Qeverinë federale, tetë muaj pasi Trumpi nisi mandatin e dytë presidencial.

Kërcënimi i Trumpit për shkurtime të reja të vendeve të punës ka rritur shqetësimet në mesin e punëtorëve federalë, pas largimeve masive nga puna më herët gjatë këtij viti nga Departamenti për Efiçiencë Qeveritare që u drejtua nga Elon Musk.

Në Senatin prej 100 anëtarësh kërkoheshin 60 vota për të kaluar projektligji për shpenzime. Republikanët kishin propozuar që të zgjasnin financimin aktual deri në fund të nëntorit, me qëllim që të zhvilloheshin negociata për një plan për shpenzime afatgjatë.

Por, demokratët kërkuan që të riktheheshin qindra miliarda dollarë në shpenzimet për kujdesshin shëndetësor, veçmas për programin për sigurime shëndetësore Obamacare për familjet me të ardhura të ulëta, që me gjasë administrata e Trumpit do ta largojë nga financimi.

Pothuajse të gjithë demokratët në Senat votuan kundër projektligjit që kishte kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Mbetet e paqartë se sa do të zgjasë mbyllja.

Qeveria federale është mbyllur 21 herë që nga viti 1976, kur Kongresi miratoi procesin e ri për miratimin e buxhetit.

Disa mbyllje kanë zgjatur vetëm disa orë dhe nuk kanë pasur ndikim në funksionimin e Qeverisë.

Mbyllja më e gjatë, ndërkaq, nisi më 22 dhjetor 2018, kur demokratët dhe Trumpi nuk arritën pajtim për 5.8 miliardë dollarët që presidenti i kërkonte për murin në kufi me Meksikën.

Atëbotë, pothuajse 380 mijë punonjës federalë u dërguan në pushim administrativ, ndërkaq 420 mijë të tjerë punuan pa pagesë.

Mbyllja e re nuk do të prekë funksionet vitale, sikurse janë shërbimet postare, ushtria, programet për mirëqenie. Por, deri në 750 mijë punonjës mund të dërgohen në shtëpi dhe nuk do të mund të paguhen derisa të përfundojë mbyllja, sipas Zyrës për Buxhet të Kongresit.

Shija e redaktorit

”Lufta e UÇK-së ishte një pelegrinazh”- Ish-komandant “Remi”: Në UÇK...

Rrustem Mustafa, ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, është pyetur për Albin Kurtin nëse është veteran i UÇK-së, pasi ai e ka...

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Të fundit nga rubrika