Të dielën u përhap lajmi se Arbnor Spahiu u arrestua nga autoritetet serbe, derisa po kalonte kufirin Hungari-Serbi.
E që nga ajo ditë deri këtë të mërkurë nuk pati asnjë reagim nga institucionet e Kosovës, madje as në takimin e përbashkët trepalësh që Besnik Bislimi e pati një ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësuesin e ri të BE-së dhe kryenegociatorin serb Petar Petkoviq.
I gatshëm para gazetarëve nuk ishte të japë përgjigje as kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
I shkurtër ishte ministri në detyrë i Punëve të Brendshme.
“Me këtë punë janë duke u marrë MPJD-ja”, ka deklaruar Sveçla.
Nga Sveçla nuk pati më reagim, por Kurti, veç në ditën e katërt, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme, me anë të reagimeve në Facebook, thanë se po punohet për lirimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë.Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, ka deklaruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurse përmes televizionit “Dukagjini”, reagim nga institucionet ka kërkuar edhe gruaja e Spahiut.
“Kërkoj publikisht që të merrni një qëndrim, të flisni dhe të ndërmerrni hapa konkretë për të adresuar rastin e bashkëshortit tim dhe të tjerëve si ai. Arbnori ka kontribuar për sigurinë e Kosovës për vite me radhë. Dhe sot, kur ai ka më shumë se kurrë nevojë për përkrahje, është lënë në heshtje. Asnjë institucion nuk ka reaguar. As Presidentja e vendit, as Kuvendi, as askush tjetër. Dhe kjo heshtje është një dhimbje tjetër për familjen time. Nuk po flas këtu vetëm si bashkëshorte. Po flas si qytetare”, ka deklaruar Arieta Spahiu, gruaja e ish-policit.
Duket që kjo ndikoi që orë më vonë në Facebook të reagoj edhe presidentja Osmani që tha se arrestimet e kosovarëve nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90.
“I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë. Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve”, ka shkruar Osmani.
Deputetë nga të gjitha partitë kanë kërkuar lirimin e Spahiut, që po dyshohet për “Vrasje të Rëndë” për sulmin terrorist në Banjskë, periudhë për të cilën ish-pjesëtari i NJSO-së kishte dhënë dorëheqje nga Policia 10 muaj para sulmit e nuk gjendej fare në Kosovë por në Gjermani.
Për këtë rast, TV Dukagjini ka kërkuar përgjigje edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë, Bashkimi Evropian, Ambasada e SHBA-ve në Kosovë dhe Ambasada Gjermane, por asnjëra deri në publikim të kësaj kronike nuk ka kthyer përgjigje.