Seanca konstituive e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot duke filluar nga ora 17:00.
Sipas Rregullores së Kuvendit, në rend dite janë katër pika kryesore.
1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Fillimisht do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve, më pas do të bëhet betimi i deputetëve të rinj, njofton Dukagjini.
Në vijim pritet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe më pas zgjedhja e nënkryetarëve.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas përmbylljes së këtyre dy proceseve të fundit.
Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Sa i përket nënkryetarëve, tre prej tyre propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy të tjerë përfaqësojnë komunitetet joshumicë – një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur së fundmi që Lista Serbe, si subjekti me mbështetjen më të madhe brenda komunitetit serb, ka të drejtë të pakufizuar për të propozuar kandidatin për nënkryetar të Kuvendit, edhe në rast se janë konsumuar emrat e deputetëve të saj.
Sipas kryetarit në detyrë të Kuvendit, Dimal Basha, këtë herë ekziston pajtueshmëri mes partive politike që votimi për nënkryetarët të zhvillohet në paketë.
Seancën konstituive do ta drejtojë deputeti më i vjetër në moshë, i asistuar nga deputeti më i ri.
Në përputhje me rregulloren, gjatë kësaj seance nuk parashihet debat.