Gjykata e Prishtinës: Mefail Shkodra dhe djali i tij u liruan nga paraburgimi me garanci pasurore prej 70 mijë euro

Pas vrasjes së trefishtë që tronditi Gjilanin, Mefail Shkodra është i dyshuari kryesor për rastin. Megjithatë, ai dhe djali i tij, të cilët ishin nën hetime edhe për vepra të tjera penale, ishin liruar nga paraburgimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Për këtë gjykata ka deklaruar për Dukagjinin, se Mefail Shkodra dhe djali i tij, E.Sh., u arrestuan fillimisht më 21 qershor 2024 dhe u vendosën në paraburgim për një muaj, me dyshimin për kryerjen e veprave penale fajde dhe detyrim.

Masa e paraburgimit u vazhdua disa herë gjatë hetimeve dhe hetuesit i akuzuan edhe për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar dhe armëmbajtje pa leje.

Më 8 tetor 2024, Prokuroria Speciale propozoi që masa e paraburgimit të zëvendësohet me dorëzani financiare, 50,000 euro për Mefail Shkodrën dhe 20,000 euro për djalin e tij, me garanci hipotekore në pasuri të paluajtshme.

Gjykata miratoi këtë kërkesë dhe masat e dorëzanisë janë në fuqi që nga tetori, ndërkohë që çështja penale është ende në fazën e hetimeve dhe nuk ka aktakuzë të ngritur deri më tani.

Gjykata thekson se për informacion më të detajuar duhet të kontaktohet Prokuroria Speciale, pasi procesi gjyqësor është ende në vazhdim.

Përgjigja e plotë e e Gjykatës:

Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale Detyrimi nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Me datë 21.06.2024 Gjyqtari procedurës paraprake ka mbajtur seancën dëgjimore dhe përmes aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., në kohëzgjatje prej një muaji  për secilin, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Fajdeja dhe Detyrimi.

Departamenti Special me datë 15.07.2024 ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Fajdeja, Detyrimi, si dhe veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së dhe veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1 i KPRK-së, ndërsa me datë 18.07.2024 Gjyqtari i procedurës paraprake përmes  Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj, për secilin, e cila masë iu është llogaritur nga data 21.07.2024 deri me datë 21.09.2024.

Me datë 12.09.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ndërsa me datë 19.09.2024 Gjyqtari i procedurës paraprake përmes  Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., iu vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj për secilin, e cila masë iu është llogaritur deri me datë 21.11.2024.

Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., ( lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjetë mijë euro), ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00 € (njëzetë mijë euro).

Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit  ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë  në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 (shtatëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh..

Në këtë çështje penale është i përfshirë edhe i pandehuri A.R. për veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me nenin 1 të KPRK-së dhe Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1 i KPRK-së, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë  në çështjen penale edhe ndaj të pandehurit A.R., (lidhur me të pandehurin A.R. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 € (pesëdhjete mijë euro). Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit  ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë  në çështjen penale ndaj të pandehurit A.R. dhe ka obliguar të pandehurin që të lë në hipotekë njësinë kadastrale, në të cilat parcela shuma totale vlerësohet prej 236.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 50.000.00 (pesëdhjetë mijë euro) nga Prokuroria Speciale, për të pandehurin A.R.

Për njoftimin tuaj, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special  nuk ka pranuar Aktakuzë nga PSRK lidhur me çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., andaj pasi kjo çështje penale gjendet në procedurë paraprake dhe gjendet në fazë të hetimeve, për më shumë mund ti drejtoheni PSRK-së.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika