Të hënën e 18 korrikut, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e Policisë së Kosovës, për mbajtjen e rendit dhe sigurisë në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se rasti i fundit i Policisë së Kosovës, duke rrezikuar jetën e tyre dhe qëndruar fuqishëm në krye të detyrës, kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, i ka bërë krenarë të gjithë.
“Në emrin tim, Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së shprehim mirënjohjen maksimale për policët tanë, gra e burra heroikë, gardianë të sigurisë dhe rendit tonë publik, si dhe luftëtarë të pakompromis në zbatimin e ligjit”, ka shkruar Mehaj.
“Rasti i fundit, kur duke rrezikuar edhe jetën e tyre dhe qëndruar fuqishëm në krye të detyrës, kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, na bën shumë nder dhe krenar të gjithëve, krahas përgjegjësisë së të gjithëve që të përkrahim fuqishëm Policinë tonë”, ka shtuar Mehaj.
Mehaj gjithashtu u ka uruar shërim të shpejtë policëve të lënduar gjatë operacionit të djeshëm.
“Policëve të lënduar gjatë operacionit të fundit, u urojmë shërim sa më të shpejtë dhe kthim në detyrat, shërbimin dhe misionin e tyre të shenjtë”, ka shtuar ai.
Ndryshe të dielën e 17 korrikut, pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë mbetur të lënduar si pasojë e një sulmi nga një kamion, i cili dyshohej për kontrabandim mallrash.
Kamioni ka dëmtuar automjetin e Policisë pas dy goditjesh.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës janë penguar nga dy automjete civile në Komunën e Leposaviqit gjersa kishin tentuar të ndalonin një kamion, i cili dyshohej për kontrabandim mallrash.
Si pasojë e këtij sulmi, janë lënduar pesë zyrtarë policorë dhe është dëmtuar automjeti i policisë, njofton Policia e Kosovës.