Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhidi, ka deklaruar në emisionin Debat Plus se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, për herë të parë po merr pjesë në zgjedhje nga pozita e opozitës.
“Hera e parë që nuk është në qeveri dhe hyn në zgjedhje lokale. Ky është mësuar ta ketë edhe Shqipërinë edhe Kosovën, dhe tash nuk e ka Kosovën, që do të thotë se nuk ka një lloj partneriteti. Edhe mbrëmë në tubimin e Çairit kishte eksponentë nga Kosova”, tha Mexhidi.
Ai gjithashtu ka komentuar edhe çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se vendi nuk ka një ligj të veçantë për gjuhën shqipe, por vetëm për “gjuhët e 20%-it”.
“Z. Kurti e ka pasur shumë me të drejtë – nuk ka në Maqedoni ligj të gjuhës shqipe zyrtare, por ligji i gjuhëve të 20%-it. Dhe nëse s’më besoni mua, merrni partnerët e z. Ahmeti, Zijadin Selën dhe Arben Taravarin, e pyesni nëse është ligji i gjuhëve apo ligji i gjuhës shqipe. Vetë partnerët e AKI-së e kanë pasur në fushatë këtë çështje”, ka theksuar Mexhidi.