Mijëra qytetarë protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale

Sheshet e Prishtinës u mbushën nga mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare për të protestuar kundër Gjykatës Speciale, në një tubim të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta u mbajt në zemër të kryeqytetit, duke mbledhur qytetarë, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të luftës dhe figura politike nga mbarë hapësira shqiptare.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi para turmës se Gjykata Speciale ka devijuar nga misioni fillestar dhe, sipas tij, po deformon historinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është luftë politike. Penalizimi i luftës së UÇK-së është i padrejtë. Lufta e UÇK-së ka qenë dhe mbetet një nga luftërat më të pastra në historinë moderne. Kjo gjykatë, që nga fillimi, më shumë i ka shërbyer Serbisë. E vërteta nuk fshihet dot”.

Në mesin e folësve ishte edhe Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit. Ajo tha se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, duke theksuar nevojën që drejtësia të jetë e paanshme dhe të mos përdoret për qëllime politike.

“Gjykata duhet të veprojë në mënyrë profesionale. Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, ajo rrezikon të kthehet në padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por janë gjykime të inskenuara. Ja ku jemi, pesë vjet më vonë, dhe ata ende ndodhen në paraburgim, pa një gjykim të drejtë. Besimi i tyre në drejtësinë e shpejtë është thyer. Por mos harroni – udhëheqësit që sot po akuzohen, janë ata që mbështetën krijimin e këtyre dhomave. E bënë këtë duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun.

Pse? Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre. Besuan se lufta ishte e drejtë, një luftë e lejuar. Ata luftuan dhe fituan. Shkuan në Hagë sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri – besonin në sundimin e ligjit dhe në aftësinë e gjykatës.

Ata besuan se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët e lirisë, dhe jo për t’i ndëshkuar”, ka thënë ajo.

Ndërsa, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti, theksoi se shqiptarët nuk do ta lejojnë që historia e tyre të shkruhet nga të huajt, pavarësisht respektit që kanë për bashkësinë ndërkombëtare. Sipas tij, përmes Gjykatës Speciale, Serbia po synon ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës.

“Shqiptarët nga të gjitha anët, nga Struga, nga Gostivari, Shkupi, Kumanova, vërshonin rrugët me pjesëmarrjen në këtë protestë për drejtësi. Vendi ynë i bashkuar si një trup i vetëm, por neve na është rrezikuar nderi dhe dinjiteti, prandaj sot si një tru jemi këtu për të kërkuar liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale. Që nga viti 1994, kur filloi t’i komunikojë qëllimet e saj, UÇK i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës.

Ajo asnjëherë nuk është marrë me të pafajshmit, asnjëherë nuk ka vrarë fëmijë e pleq. Lufta e saj ishte vetëm dhe vetëm çlirim. Lufta e saj nuk është kundër asnjë populli, asnjë etnie në Kosovë. Nuk është luftë fetare e as terroriste. UÇK me udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike duke e sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan”, ka thënë Ahmeti.

Shija e redaktorit

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Muajt vendimtar, mbrojtja e ish krerëve të UÇK-së nis me...

Nga sot e deri në gusht Dhomat e Specializuara për Kosovën, do jenë në pushim veror. Por ndonëse kthimin në punë, të njëjtit do e...

Të fundit nga rubrika