Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se pavarësisht sulmeve ndaj vendit të tij, kapacitetet ushtarake iraniane nuk janë dobësuar.
Në një intervistë për emisionin “This Week” të rrjetit amerikan ABC News, Araghchi tha se “asgjë nuk ka ndryshuar në kapacitetin tonë ushtarak”.
Ai theksoi se vetëm disa orë pasi Irani u godit, Teherani reagoi duke shënjestruar objektiva izraelite dhe baza amerikane.
“Ne kemi vazhduar ta bëjmë këtë. Ushtria jonë është në pozicion dhe është mjaftueshëm e aftë për ta mbrojtur vendin”, deklaroi ai.
I pyetur nëse një marrëveshje diplomatike me administratën e presidentit amerikan Donald Trump është ende e mundur, Araghchi u shpreh skeptik.
“Ne kemi negociuar me Shtetet e Bashkuara dy herë gjatë 12 muajve të fundit. Në të dy rastet, ata na sulmuan në mes të negociatave. Kjo ka qenë një përvojë shumë e hidhur për ne”, tha ai.
Sipas tij, një marrëveshje ishte “shumë afër” dhe delegacioni iranian ishte larguar nga Gjeneva me bindjen se mund të arrihej një dakordim në takimin e radhës.