Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se fokusi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.
Në një konferencë për media, ai ka folur për objektivat kyçe të ministrisë, duke theksuar se do të punojnë në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake në përputhje me standardet e aleancës veriatlantike.
“Objektivat kyçe që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes do jenë fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike, duke implementuar politikat e mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës, zgjerimi bilateral që në vazhdimësi, pra bashkëpunimin në aspektin strategjik me aleatët tanë në veçanti me ShBA-të por edhe aleatet tjerë mbështetës. Objektivat tjera në kuadër të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake, kapacitetet e reja do të ndërtohen më përputhje me standardet e NATO-s me aleatët dhe partnerët tanë me qëllim të ruajtjes së paqes sigurisë globale. Dy shtyllat që do të fokusohem ndërtimi i kapaciteteve të reja luftarake që nuk i kemi pasur me herët dhe ruajtja e kapaciteteve aktuale”, ka thënë Maqedonci, shkruan KP.
Maqedonci tha se integrimi në NATO mbetet fokus i FSK-së, duke shtuar se kanë plotësuar të gjitha standardet për të bashkëvepruar me NATO-n.
“Fokusi yni është integrimi në NATO, porse varet edhe prej shumë faktorëve, ndër tjera është prej faktorëve të njohjeve, pra vendet që se njohin Kosovën. Mirëpo, FSK ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha standardet për të bashkëvepruar me NATO-n”, ka thënë Maqedonci.
Kjo është paraqitja e parë e Maqedoncit para gazetarëve, prej kur e ka marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes më 8 gusht 2023.