Ministri izraelit kërkon që Gaza të aneksohet nëse Hamasi nuk dorëzohet

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, i bëri thirrje Qeverisë së tij që të nisë aneksimin e pjesëve të Rripit të Gazës nëse Hmasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – refuzon të dorëzohet.

Ministri i ekstremit të djathtë, i cili ka qenë i zëshëm kundër një marrëveshjeje me Hamasin për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare, e paraqiti planin e tij për “fitore në Gazë deri në fund të vitit” gjatë një konference për media të mbajtur në Jerusalem.

Sipas propozimit të Smotrich, Hamasit do t’i jepej një ultimatum për t’u dorëzuar, për t’u çarmatosur dhe për të liruar pengjet që ende mbahen në Gazë që nga sulmi i grupit radikal palestinez në Izrael më 7 tetor 2023, që nxiti luftën.

Nëse Hamasi refuzon, Smotrich tha se Izraeli duhet të aneksojë nga një pjesë të territorit për çdo javë dhe ta përmbyllë aneksimin për katër javë, duke e sjellë Rripin e Gazës nën kontrollin e plotë izraelit.

Sipas Smorichit, palestinezëve fillimisht do t’iu thuhej që të zhvendoseshin në jug të Gazës, pasi Izraeli të rrethonte pjesën veriore dhe qendrore të territorit për të mposhtur çdo militant të mbetur të Hamasit, dhe më pas shteti do të aneksonte territorin.

“Kjo mund të arrihet për tre deri në katër muaj”, tha ai.

Deklaratat e tij vijnë teksa forcat izraelite po zhvillojnë një ofensivë të madhe me synim marrjen e kontrollit mbi Qytetin e Gazës – qytetin më të madh të këtij territori – pavarësisht shqetësimeve në rritje për fatin e civilëve palestinezë atje.

Shumica dërrmuese e mbi 2 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës.

Smotrich i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “të miratojë këtë plan në tërësi menjëherë”.

Ai është një nga disa anëtarë të krahut të djathtë të koalicionit qeverisës të Izraelit që kanë shprehur mbështetje për rivendosjen e vendbanimeve në Rripin e Gazës, nga i cili Izraeli kishte tërhequr trupat dhe kolonët në vitin 2005.

Smotrich, mbështetës i lëvizjes së kolonëve dhe vetë banues në një vendbanim në Bregun e pushtuar Perëndimor, autorizoi javën e kaluar një projekt të madh në atë territor, i cili sipas kritikëve kërcënon integritetin territorial të çdo shteti të ardhshëm palestinez.

Ai ka deklaruar se projekti i vendbanimeve në zonën e njohur si E1, në lindje të Jerusalemit, ka për qëllim “varrosjen e idesë për një shtet palestinez”./REL

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika