Një koncept dokument i Ministrisë së Ekonomisë i bën të qarta synimet për hartimin dhe miratimin e një ligji të ri për ndërmarrjet publike, që do të ishte në harmoni edhe me atë për Fondin Sovran.
Teksa theksohet nevoja pwr rishikim të legjislacionit, një nga çështjet e para që përmenden është detyra e pakryer nga qeveritë për miratimin e një politikë të pronësisë.
Në këtë kontekst, koncept dokumenti përmend edhe rolin që parashihet të ketë Fondi Sovran.
“Pas miratimit të ligjit për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës (RK), kjo politikë e pronësisë duhet të rishikohet në përputhje me pronësinë shtetërore të ndërmarrjeve, si Shoqëri Tregtare (ShT) me personalitet juridik në të cilën Fondi ka ose do të fitojë shumicën e aksioneve ose pjesëmarrjes në pronësi”.
Por, Ligji për Fondin mbetet ende në trajtim nga Gjykata Kushtetuese që nga 26 Dhjetori 2023 apo 11 ditë pasi ishte miratuar në Kuvend.
“Kjo lëndë aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”.
Me këtë ligj, pushteti aktual synon që një pjesë të madhe të ndërmarrjeve publike t’i kalojë nën administrimin e Fondit Sovran.
Sidoqoftë, koncept dokumenti në pjesën më të madhe merret me problemet e evidentuara në legjislacionin në fuqi për ndërmarrjet publike, menaxhimin, performancën e dobët financiare, mungesën e llogaridhënies dhe transparencës.
Grupi Punues i dokumentit i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, asaj të Financave dhe Zyrës së Kryeministrit, theksoi se vazhdimi pa ndryshime, me ligjin aktual, çon në thellim të problemeve.
“Ky opsion do të vazhdojë me rënien e vlerës së përgjithshme të aseteve në pronësi publike dhe mund të rrezikojë seriozisht cilësinë e shërbimeve, të cilat ofrohen për qytetarët e Republikës se Kosovës (RK). Për më tepër, mungesa e politikës së përgjithshme publike në lidhje me orientimin strategjik për zhvillimin dhe organizimin e Ndërmarrjeve Publike (NP), në treg, mund të ketë pasoja negative në ekonominë e vendit. Në anën tjetër, mos-reformimi i strukturës organizative të Ndërmarrjeve Publike (NP),pamundëson funksionimin efikas të tyre. Mungesa e integrimit të plotë të parimeve të qeverisjes korporative në aktet normative dhe zbatimi i tyre në NP-të, konsiston me mungesë të përgjegjësisë, llogaridhënies dhe kontrollit”.
Dokumenti liston në formë rekomandimi çështjet që duhet të adresojë ligji i ri, përfshirë edhe dispozitat ndëshkuese në rastet e mos-përmbushjes së planeve të biznesit nga ndërmarrjet publike.
Teksa përmenden edhe disa shembuj të shteteve të rajonit dhe BE-së, kryesisht flitet me tone pozitive për ato që kanë modele të centralizuara të menaxhimit të ndërmarrjeve shtetërore.