Kosova pritet të përfitojë një kredi në vlerë prej 629 milionë eurosh nga Komisioni Evropian, në kuadër të mbështetjes që Bashkimi Evropian po ofron për vendet e Ballkanit Perëndimor për zbatimin e reformave dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Marrëveshja për kredinë në kuadër të “Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” u miratua në Kuvend me 98 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe katër deputetë që abstenuan.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se fondet do të mbështesin një gamë të gjerë reformash, përfshirë administratën publike, menaxhimin e financave publike, digjitalizimin e shërbimeve, zhvillimin e infrastrukturës, politikat e dekarbonizimit, rritjen e efiçiencës së energjisë, si dhe avancimin e arsimit, tregut të punës dhe sundimit të ligjit.
Sipas tij, nga shuma e përgjithshme prej 629 milionë eurosh, 34.75 për qind e mjeteve do të kanalizohen përmes Kornizës së Ballkanit Perëndimor, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë si mbështetje direkte për buxhetin e vendit.
“Marrëveshja e radhës të cilën po e sjellim sot për miratim para jush, që ndërlidhet me agjendën e reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian. Konkretisht, paraprakisht keni miratuar kornizën dhe vetë reformat, ndërkaq tash për miratim është marrëveshja e kredisë, pra për pjesën e atyre dy të tretave të kredisë”.
“Në qendër të kësaj agjende të reformave, është edhe pra janë reforma për administratë publike, menaxhimin e financave publike, digjitalizimin e shërbimeve, infrastruktura dhe mjedisi apo dekarbonizimi, efiçenca e energjisë, arsimi, tregu i punës, si dhe sundimi i ligjit. Kurse sa i përket marrëveshjes për financim dhe kushteve të financimit, vlera totale e kredisë, siç e thash më herët, është 629 milionë – konkretisht 629 milionë 311 mijë e 236 euro – ku nga kjo shumë, pra një pjesë, diku 4.75% e disbursimit do të transferohet në kornizën e investimeve të Ballkanit Perëndimor, dhe ndërkaq pjesa tjetër vjen si mbështetje buxhetore”, tha Murati.